Blinte dhe paguante me kartëmonedha të falsifikuara, arrestohet në flagrancë 24-vjeçari

Nga A2 CNN
26 Korrik 2026, 15:07 | Kronikë

Blinte dhe paguante me kartëmonedha të falsifikuara, arrestohet

Një 24-vjeçar me inicialet M. Rr. është arrestuar në flagrancë nga Policia e Durrësit pasi akuzohet se blinte produkte dhe paguante me para të falsifikuara.

Sipas njoftimit zyrtar, hetimet nisën menjëherë pas kallëzimit të bërë nga punonjësit e një pike karburanti në fshatin Sinaballaj, Rrogozhinë, të cilët denoncuan se një klient kishte furnizuar mjetin dhe kishte paguar me euro false.

Finalizohet operacioni policor i koduar "Përdorimi". Blinte produkte dhe paguante me kartëmonedha të falsifikuara, kapet dhe arrestohet në flagrancë 24-vjeçari. Sekuestrohen 13 kartëmonedha me prerje 20 euro, të dyshuara të falsifikuara. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Durrës, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë dhe nën drejtimin e Prokurorisë, pas kallëzimit të bërë se një shtetas kishte mashtruar në një pikë karburanti duke përdorur kartëmonedha euro të dyshuara të falsifikuara për të paguar karburantin e automjetit, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar "Përdorimi” “, thuhet në njoftim.

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore u bë i mundur identifikimi, lokalizimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit M. Rr., 24 vjeç. Nga hetimet dyshohet se ky shtetas, në një pikë karburanti në fshatin Sinaballaj, Rrogozhinë, ka furnizuar automjetin me karburant dhe ka kryer pagesën me 3 kartëmonedha me prerje 20 euro, të dyshuara të falsifikuara. Gjatë kontrollit fizik, në portofolin e tij u gjetën edhe 10 kartëmonedha të tjera me prerje 20 euro, të dyshuara të falsifikuara, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Në total u sekuestruan 13 kartëmonedha me prerje 20 euro, të dyshuara të falsifikuara. Vijojnë veprimet hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë”, vijon njoftimi.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos