Një ngjarje e rëndë tronditi pasditen e të shtunës qytetin e Korçës, ku 20-vjeçari Johan Zuko, pjesë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, u vra me armë zjarri në lagjen nr. 14. Gazetari i A2 CNN, Igli Çelmeta, raportoi se autoritetet kanë identifikuar të dyshuarin për krimin, i cili ende ndodhet në arrati. Bëhet fjalë për një person që, sipas informacioneve paraprake të grupit hetimor, ka qenë shok me viktimën dhe është rritur bashkë me të.
Dyshohet se mes dy të rinjve ka pasur një konflikt, i cili ka agravuar deri në përdorimin e armës. Viktima është ndjekur nga autori në disa prej rrugicave të lagjes dhe më pas është qëlluar me kallashnikov, duke humbur jetën në vend.
Zuko nuk ishte banor i lagjes nr. 14. Sipas dëshmive paraprake, ai ka tentuar t'i largohet autorit duke u futur në një zonë me pallate, por është zënë në pritje pranë hyrjes së një pallati.
Policia ka ngritur postblloqe në zonën e ngjarjes dhe në akset hyrëse e dalëse të qarkut të Korçës, ndërsa vijon kërkimi për arrestimin e të dyshuarit. Gjithashtu, janë sekuestruar pamje nga kamerat e sigurisë dhe janë marrë në pyetje dëshmitarë okularë.
I dyshuari rezulton të ketë precedentë të mëparshëm penalë, ndërsa policia po komunikon me familjarët e tij për ta bindur të dorëzohet.
Johan Zuko kishte pak kohë që ishte punësuar në Forcat e Armatosura. Pozicioni i tij i saktë i punës ende nuk është bërë i ditur. Sipas të dhënave paraprake, 20-vjeçari nuk kishte precedent penalë dhe nuk kishte pasur probleme të mëparshme me ligjin. (A2 Televizion)