Detaje të reja nga hetimet për atentatin ndaj 58-vjeçarit Isuf Jaçaj në Sarandë

Nga Igli Çelmeta
6 Tetor 2025, 11:22 | Kronikë

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga hetimet lidhur me atentatin ndaj 58-vjeçarit Isuf Jaçaj në Sarandë.

Nga hetimet e deritanishme nga grupi hetimor burime për A2CNN bëjnë me dije se hetuesit dyshojnë se autorët e kanë vendosur tritolin në mjetin tip "Toyota" të 58-vjeçarit dy ditë para ngjarjes.

Lënda eksplozive rreth 500 gramë është instaluar nga autorët poshtë automjetit në vendin e shoferit. Sa i përket dinamikës së ngjarjes, para atentatit Isuf Jaçaj ka qenë në një lokal duke konsumuar kafe në lagjen nr.3 aty ku ka edhe banesën e të birit rreth orës 22 e 45 minuta dhe pasi ka dalë nga lokali është futur në makinë, ka ndezur mjetin dhe pasi ka ecur rreth 20 metra dhe më pas është kryer shpërthimi i telekomanduar.

Grupi hetimor ka sekuestruar kamerat e sigurisë në zonë dhe ka nisur kqyrjen tyre me qëllim identifikimin e autorëve të dyshuar. Policia ka pikasur një mjet të dyshimtë që ka qenë në zonë gjatë kohës kur ka ndodhur ngjarja por po bëhen verifikimet e para. Hetuesit dyshojnë se autorët e kanë mbajtur në vëzhgim prej ditësh viktimën duke gjurmuar lëvizjet e tij. 58-vjeçari nuk ruhej dhe as nuk lëvizte me automjet të blinduar.

 Policia ka dyshime se autorët kanë qenë rreth 200 metra nga vendngjarja nga ku kanë kryer shpërthimin në mënyrë të telekomanduar dhe më pas janë larguar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos