Hetimi i SPAK ndaj dy grupeve kriminale, të dyshuara si të drejtuara nga Aleksandër Laho, i njohur si “Rrumi i Shijakut”, dhe Astrit Avdylaj, i pari i përfshirë në tjetërsime pronash dhe i dyti në vrasje, ka zbardhur edhe planet për eliminimet fizike të kundërshtarëve.
Referuar dosjes hetimore, “Rrumi” në disa raste ka premtuar apo shpërblyer me prona personat që do të përdorte për vrasjen e kundërshtarëve. Në një bisedë në aplikacionin SKY të shtatorit 2020, ai i liston Elidon Avdylit (Aldo Avdylit) kundërshtarët:
“Shoku, koka e grupit është Luli i pari, Cekja, pastaj ky legeni, Lenti. Këta e xhirojnë lojën e qytetit. Të tjerët janë pasiva, të parëndësishëm”, duke iu referuar Lulëzim Berishës, Edmond Koçit (Mond Çekiqit) dhe Plaurent Dervishit.
“Po je fiks fare, vlla”, i përgjigjet Avdyli, “kjo është, s’të fut njeri ty për terren e për mend. Po kanë mbaruar ata”.
Më tej, Aleksandër Laho i thotë të heqin Çeken (Edmond Çekiqin), pasi sipas tij ai ishte truri i kundërshtarëve në terren.
Në një tjetër moment, teksa grupi i Avdylit planifikonte vrasjen e Edmir Bregut, që në biseda i referoheshin me nofkën “Maloku”, Aleksandër Laho i kërkon Aldo Avdylit të sigurohej që mos të dilte huq. Kur bashkëbiseduesi i thotë të kundërtën, me pretendimin se do t’i shkojnë 10 veta, Laho e këshillon:
“Kjo është kryesorja. Hap thashetheme sikur s’ke bërë gjë ti. Të përzihet opinioni nga puna e shtetit. Se shteti punon. Sikur i kanë gjuajtur për punë malli. Sikur kanë bërë kollare. Përzije opinionin”.
Në lidhje me tjetërsimet e pronave në bregdetin e Lalzit, Shetajt, Bizës dhe Kërtushës, SPAK ka mundur të provojë ndërhyrje në regjistra kadastralë që datojnë deri në vitet 1920 e 1930. Qindra akt-ekspertime të akteve të marrjes në pronësi të tokës kanë konstatuar shifra dhe vula të falsifikuara, por edhe fletë të futura nëpër regjistrat kadastralë.
Për llogari të këtij hetimi, SPAK siguroi 8 masa sigurie “arrest në burg”, por pa mundur të gjejë dhe arrestojë Aleksandër Lahën dhe Aldo Avdylin, si dhe një masë “ndalim të daljes jashtë shtetit”. (A2 Televizion)