Detaje të reja për ngjarjen e rëndë në Durrës, jet-ski-ja i merr jetën turistit të huaj, shpëton gruaja

Nga A2 CNN
1 Qershor 2025, 13:55 | Kronikë

Detaje të reja për ngjarjen e rëndë në Durrës,

Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë e ndodhur paraditen e sotme në ujërat përballë zonës së Shkëmbit të Kavajës, ku dy shtetas të huaj u përfshinë në një aksident me një mjet lundrues tip Jet Ski.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë rreth orës 11:15, është raportuar se dy persona kishin rënë në det, pasi dyshohet se kishin humbur kontrollin mbi mjetin gjatë manovrave. Shërbimet kufitare kanë ndërhyrë menjëherë me një mjet lundrues dhe kanë arritur të nxjerrin nga uji të dy shtetasit, duke i transportuar në port për ndihmë mjekësore të menjëhershme.

Fatkeqësisht, sipas verifikimeve të ekipit të urgjencës që priste në port, njëri prej të aksidentuarve, shtetasi S. O., 34 vjeç, banues në Angli, kishte ndërruar jetë. Ndërsa shtetasja tjetër, V. B., 31 vjeçe, gjithashtu banuese në Angli, është dërguar me urgjencë në spital dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

Grupi i posaçëm hetimor është vënë në lëvizje për të zbardhur plotësisht rrethanat e aksidentit. Deri më tani dyshohet se shkaku i ngjarjes ka qenë humbja e kontrollit gjatë drejtimit të Jet Ski-t, ndërsa hetimet po vazhdojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Durrës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos