Brenda një automjeti të llojit “Land Rover”, që ndodhej në një nga kontejnerët në Portin e Durrësit që prej vitit 2022, janë gjetur pas kontrollit të policisë, tre armë zjarri dhe 1580 fishekë luftarakë.
Destinacioni final i kontejnerit ku mjeti qëndronte prej më shumë se 2 vitesh, ishte Republika Demokratike e Kongos, ndërsa automjeti ku u gjetën armët kishte hyrë nga Dogana e Morinit.
Policia kreu kontrollin e kontejnerit pasi dërguesi nuk ishte paraqitur për të kryer veprimet doganore. Falë bashkëpunimit me autoritetet kosovare, është arritur të identifikohet një 24-vjeçar si poseduesi i armëve të zjarrit.
Sakaq, strukturat hetimore të Policisë së Durrësit në bashkëpunim me Policinë Kufitare po vijojnë veprimet hetimore në bashkëpunim dhe me autoritet kosovare për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti me qellim identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
NJOFTIMI I POLICISË:
Policia Kufitare në bashkëpunim me autoritetet doganore dhe DVP Durrës, gjetën të fshehura në një automjet tre armë zjarri dhe 1580 fishekë luftarakë.
Automjeti Land Rover tranzit doganor nga Kosova për në Shqipëri me destinacion përfundimtar Republikën Demokratike të Kongos, i cili ka hyrë në Republikën e Shqipërisë nëpërmjet Pikës së Kalimit Kufitar Morinë më datë 20.12.2022.
Kontenieri ku ndodhej automjeti, ishte i mbyllur në sheshin e kontenierëve në portin e Durrësit që prej dhjetorit të vitit 2022 pasi dërguesi nuk ishte paraqitur për të kryer veprimet doganore dhe më datë 04.06.2025, Autoriteti i Degës së Doganës Durrës vendosi kryerjen e procedurës së hapjes dhe kontrollit te këtij kontenieri.
Gjatë kontrollit fizik të ushtruar në automjetin Land Rover shërbimet e Policisë konstatuan në brendësi të automjetit në një hapësirë të përshtatur 2 armë zjarri automatike, 1 armë zjarri pistoletë, 1580 fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm dhe 12 krehra fishekësh për armë automatike dhe pistolete.
Nga veprimet hetimore dhe procedurale të kryera nga strukturat hetimore të DVP Durrës dhe asaj Kufitare të Portit Durrës për dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje është bërë e mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e autorit të dyshuar të posedimit të armëve dhe të përfshirë në trafikimin e armëve dhe municioneve nga Kosova me destinacion Republikën Demokratike të Kongos.
Konkretisht u shpall në kërkim shtetasi kosovar Y. I, 24 vjeç dhe vijon puna në bashkëpunim me Policinë e Kosovës për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Armët e zjarrit do dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore për t’ju nënshtruar ekzaminimeve teknike, balistike dhe daktiloskopike për të parë nëse janë përdorur në ndonjë ngjarje kriminale të mëparshme. (A2 Televizion)