Zbulohet parcelë me rreth 2 mijë bimë kanabisi, dy të arrestuar në Mallakastër

Nga A2 CNN
7 Qershor 2025, 10:20 | Kronikë


Policia e Komisariatit të Mallakastrës, në kuadër të operacionit policor të koduar “Koordinata”, ka goditur një rast të tentativës për kultivim të bimëve narkotike në territorin e kësaj bashkie.

Gjatë kontrolleve të ushtruara në fshatin Çërrilë, u zbulua një parcelë e mbjellë me 1881 fidanë kanabis. Në momentin e ndërhyrjes, shërbimet e Policisë kapën në flagrancë edhe dy shtetas që po ujisnin fidanët.

Sipas policisë janë arrestuar për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, A. S., 53 vjeç, banues në Greshicë dhe E. Sh., 34 vjeç, banues në Çërrilë.

Po ashtu, për këtë rast është proceduar penalisht edhe kryeplaku i fshatit Çërrilë, shtetasi I. S., 63 vjeç, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, si dhe shtetasi M. Z., 44 vjeç, banues në Ballsh.

Gjatë kontrollit në banesën e këtij të fundit, policia gjeti një armë sportive, një shumë parash prej 12.400 euro, 400 paund dhe rreth 900.000 lekë të reja, të cilat dyshohen se janë përfituar nga aktiviteti kriminal i kultivimit të drogës.

Fidanët e sekuestruar u asgjësuan në vendngjarje me anë të djegies. Policia bën me dije se hetimet vijojnë për të dokumentuar tërësisht veprimtarinë kriminale dhe për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në këtë rast. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos