Operacioni “Plazhi i lirë” është zhvendosur këtë të shtunë në Kepin e Rodonit. Policia njofton se janë liruar hapësira të tjera në plazhin e Kepit të Rodonit, të zëna në mënyrë të paligjshme.
Janë hequr dhe sekuestruar 85 komplete me çadra dhe shezlongë, ndërs anjë person është proceduar penalisht.
“Gjatë kontrolleve, në hapësira publike në plazhin e Kepit të Rodonit, u hoqën dhe u sekuestruan gjithsej 85 komplete me çadra dhe shezlongë, të vendosura në mënyrë të paligjshme nga një shtetas.
Në vijim të veprimeve, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin N. S., 59 vjeç, banues në Tiranë”, njofton Policia.
Policia njofton gjithashtu se do të vijojnë kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike për pushuesit dhe verifikimin e aktiviteteve që kryejnë subjektet gjatë sezonit veror.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët dhe subjektet që të respektojnë hapësirat publike dhe të mos ndërhyjnë në mënyrë të paligjshme në to, pasi çdo shkelje do të pasojë me masa administrative dhe penale, sipas ligjit.
(A2 Televizion)