Zhdukja e Jan Prengës, Apeli i GJKKO mbyll përjetë në burg kopshtarin Bexhdili

Nga Armand Bajrami
25 Korrik 2025, 16:59 | Kronikë

Gjykata e Posaçme e Apelit konfirmoi dënimin me burgim përjetë të Festim Bexhdilit, ish-kopshtari i kompleksit në Shijak ku u dërgua pas rrëmbimit e nga ku u zhduk më pas trupi i Jan Prengës. Bexhdili u rigjykua në Apel në zbatim të një vendimi të Gjykatës së Lartë, që ktheu çështjen në Shkallën e dytë, duke prishur dënimin përjetë të dhënë me herët ndaj tij. 

Në përfundim të rigjykimit Apeli u përball me dy kërkesa të ndryshme nga dy prokurorët e të njëjtës çështjeje. Një nga prokurorët kërkoi dënim me 20 vite burg, me pretendimin se Bexhdili ishte i rastësishëm në ngjarje dhe jo pjesë e grupit kriminal që rrëmbeu e zhduku më pas Jan Prengën.

Ndërsa prokurori tjetër i SPAK në proces kërkoi lënie në fuqi të dënimit përjetë, kërkesë që u pranua nga treshja e Apelit. 

Sipas SPAK, Festim Bexhdili ka qenë në ambientet e kompleksit “Golden” kur aty është dërguar trupi i Jan Prengës dhe ka ndihmuar rrëmbyesit ta zhvendosë trupin nga një automjet në tjetrin. Po ashtu, ai dyshohet se ka ndihmuar këta persona në zhdukjen e trupit dhe ka dijeni për të, dijeni që nuk e ka ndarë me hetuesit.

Gjatë deklarimeve të tij një gjyq, Bexhdili ka pranuar se ju është bindur personave që mbërritën në garazhin e kompleksit, për të zhvendosur trupin, si edhe t’ju ketë vënë në dispozicion një kazmë dhe lopatë, për shkak se ata ishin të armatosur.

Për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës në Gjykatën e Posaçme po zhvillohen dy procese paralele, ku në njërin po gjykohet në mungesë Altin Hajri, ndërsa në tjetrin, Dritan Rexhpi dhe 6 të bashkëpandehur. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos