Tre persona janë vënë arrestuar nga policia në Kavajë, pasi akuzohen për zjarrvënie, në fshatrat Peqinaj dhe Zhabjak.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë kanë identifikuar dhe arrestuar 3 shtetas të dyshuar si autorë të zjarreve që përfshinë sipërfaqe të mëdha toke me pemë frutore, në fshatrat Peqinaj, Kavajë dhe Zhabjak, Rrogozhinë. Pas marrjes së njoftimit se mbrëmjen e djeshme, në këto zona kishte rënë zjarr, forcat e policisë shkuan menjëherë në vendngjarje. Falë veprimeve të shpejta hetimore, u bë e mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi i shtetasve F. P., banuese në Peqinaj, R. M, banues në Zhabjak dhe J. M., banuese në Zhabjak”, njoftoi policia.
Sipas Bluve të Kavajës, zjarret që këta individë kanë ndezur në pronat e tyre për të djegur mbeturinat, janë përhapur me shpejtësi duke shkrumbuar disa sipërfaqe toke.
“Nga hetimet rezultoi se gjatë djegies së mbeturinave në tokat e tyre, zjarri ka dalë jashtë kontrollit, duke përfshirë një sipërfaqe të madhe me pemë frutore dhe duke shkaktuar djegien e një banese të pabanuar”, sqaron policia.
Policia po ashtu apelon që qytetarët dhe banorët e zonave rurale të mos ndezin zjarre për djegien e mbeturinave ose mbetjeve bujqësore, si dhe të shmangin hedhjen e cigareve të ndezura pranë sipërfaqeve të pyllëzuara. (A2 Televizion)