Ish-pronari i IGOR elektrik, Eduard Meta dëshmoi këtë të mërkurë në Gjykatën e Posaçme lidhur me dosjen hetimore “5D”, ku 8 persona janë marrë të pandehur nga SPAK. Meta u pyet nga prokurori në lidhje me 114 milionë lekë të reja që kishte tërhequr në 2016, si dhe për shitjen e 75% të aksioneve në 2017-ën.
“Pjesa dërrmuese ka shkuar nëpër objekte, rërë, naftë, fadroma. I kemi paguar nën dorë se ashtu ishte atëherë. Aksionet u shitën pasi doja të hiqja kompaninë, nuk e doja më. Ia dhashë Petrit Muhametit. Shkuam te noteri, i dhashë kuotat sipas ligjit. U mor avokati me atë punë. Doja të hapja një biznes, një palestër, ndaj e hoqa”, tha Eduart Meta.
Gjatë deklarimeve, Eduart Meta përmend edhe Redi Mollën, një ndër personat e hetuar në këtë dosje. Sipas tij, njohja me Mollën është bërë në lagje teksa pinin birra e duke parë ndonjë ndeshje.
Në sallën e gjyqit, dëshmoi edhe Petrit Muhameti, pronar i “VAS KONSTRUKSION”.
“Mu ofrua të bëhesha pronar, nga viti 2016-2017. Ma ofroi dhëndri im, Alfred Qato. Është një firmë e mirë më tha, do jesh pronar i kësaj kompanie. Nuk do bësh asgjë, ke staf për punën, vetëm do firmosësh. Hapa një llogari në bankë për të tërhequr lekët. Banka më niste njoftim, të tërheq shumën 40 milionë lekë të vjetra. I merrja lekët, ia jepja Fredit. Nga 32 milionë lekë të vjetra, pasi ndërruam bankën, ia dhashë Nestorit, 4 herë. Shumat ishin 42 milionë më e madhja, 18 milionë ishte më e vogla”, deklaroi Muhameti.
Si dëshmitar në proces dëshmoi edhe Joana Bejko, inxhiniere. Ajo tha se llogariste kostot e objekteve për kostot civile, si dhe merrej me tenderët e prokurimit publik. Ndërsa në lidhje me emrat e hetuar në këtë dosje teksa u pyet nga prokurori, Bejko tha se nuk i njihte personalisht. (A2 Televizion)