Dosjet e “nxehta” të SPAK, Dumani tregon ç’do të ndodhë me “21 janarin” dhe Sali Berishën

Nga Armand Bajrami
8 Korrik 2024, 19:19 | Kronikë

Pas zbardhjes së vendimi të Gjykatës së Lartë për “21janarin”, SPAK nuk ka asnjë rrugë tjetër përveç regjistrimit të një hetimi penal për çështjen.

Në një komunikim informal me gazetarët, kreu i Strukturës së Posaçme, Altin Dumani, tha se janë në pritje të mbërritjes së akteve për të nisur veprimet konkrete.

"Jemi të detyruar të zbatojmë vendimin e Gjykatës së Lartë. Kur të vijnë aktet do të regjistrojmë hetimin penal", tha kreu i SPAK. Për dosjen “Partizani”, ku nën hetim janë edhe ish-kryeministri, Sali Berisha dhe dhëndri i tij, Dumani tha se akuzat ndaj tyre do të formalizohen kur të jenë përfunduar të gjitha veprimet hetimore. Ai nënvizoi se SPAK ka ndërmarrë edhe hetim pasuror ndaj të dyshuarve, duke dale edhe me konkluzione me vënien në sekuestro të disa pasurive. Për ecurinë e hetimit te dosjes 5D, ndaj ish zyrtarë të Bashkisë Tiranë Dumani tha prerë se nuk kishte asnjë koment për të bërë. Njëlloj u përgjigj edhe për pyetjen e A2CNN nëse SPAK ka regjistruar emra konkretë në hetimin e nisur disa muaj më parë për abuzimet me fondet e projektit IPARD në Shqipëri, çështje për të cilën është kallëzuar edhe ish-ministrja e Bujqësisë.

Interesit mbi mosekstradimin e ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj dhe bosëve të inceneratorëve Dumani tha se detyrimi i SPAK ishte dërgimi i kërkesës për ekstradim dhe materialet shoqëruese, ishte kryer. Duke nënvizuar se nuk kishte asnjë ngërç mes SPAK dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, kryeprokurori Dumani ritheksoi kërkesën për shtim të numrit të agjentëve të BKH. Sipas tij, numri aktual prej 60 hetuesish, është i pamjaftueshëm, pasi disa prej tyre janë angazhuar në qendrën e përgjimeve e disa të tjerë do përfshihen në përgjimet parandaluese. Duke iu referuar vendimmarrjes së vetë SPAK për të mos hetuar kallëzimin e vëllait të kryeministrit, Olsi Rama, kundër Gazment Bardhit, Dumani tha se deputeti nuk kishte bërë një kallëzim për çështjen “Xibraka”.

Dumani vlerësoi bashkëpunimin e përditshëm me Policinë e Shtetit, por pranoi se SPAK, ka në duar hetime për dekonspirim të hetimeve të kësaj strukture, duke zgjedhur të mbajë sekret numrin, apo rastet konkrete. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos