Gjykata e Posaçme shpall vendimin përfundimtar ndaj grupit të Call Center-ave, duke dënuar me burg vetëm dy prej 13 të arrestuarve.
Erjon Kasmi dhe Xhulian Xhafa, të cilët janë dënuar respektivisht me nga 11 dhe 10 vite burg, së bashku me te pandehurit e tjerë, akuzoheshin për mashtrimin të qytetarëve europianë përmes call centerave në Tiranë.
Sipas hetimeve ata përllogaritet të kenë përfituar nga kjo skemë vlerën e 7 milionë eurove.
Gjykata e Posaçme e ka shpallur Erjon Kasmin fajtor për kryerjen e veprave penale “Mashtrimi kompjuterik”, e kryer në bashkëpunim dhe “Grupi i strukturuar kriminal” duke e dënuar me 11 vite burg në total, nga të cilat do të kryejë 7 vite e 4 muaj, për shkak se i ulet 1/3 e dënimit.
Edhe Xhulian Xhafa do të qëndrojë pas hekurave, pasi është shpallur fajtor për të njëjtat vepra penale si Erjon Kasmi. GJKKO e ka dënuar me 10 vite burg në total, por Xhafa do të vuajë vetëm 6 vite e 8 muaj burgim, për shkak se përfiton uljen e 1/3 së dënimit.
Ajo çka bie në sy në vendimin e gjykatës është se nuk është arritur të provohet se 24 pasuri, ku përfshihen llogari bankare, apartamente dhe truall toke, janë produkte të veprës penale. Për këtë arsye 20 pasuri të Erjon Kasmit dhe 4 të Xhuliano Xhafës të sekuestruara me vendim të Prokurorisë në qershor dhe korrik të 2022, e më 5 maj të 2023, do t’iu kthehen atyre pavarësisht dënimit me formë të prerë. (A2 Televizion)