Në konferencën e tij të fundvitit, kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, ngriti edhe njëherë publikisht alarmin për gjendjen e sistemit të drejtësisë, referuar numrit të ulët të gjyqtarëve dhe numrit të lartë të dosjeve që presin gjykimin.
“Mungesa e gjyqtarëve është problemi themelor i sistemit të drejtësisë. Aktualisht janë 307 gjyqtarë efektivë në detyrë, përballë 417 të parashikuar nga struktura organizative, çka do të thotë se sistemi funksionon me vetëm 73.6% të kapacitetit të tij, ose me 110 gjyqtarë më pak. Sistemi sot prodhon backlog të ri për shkak të mungesave strukturore. Çdo ngarkesë e krijuar sot në shkallë të parë dhe apel, nesër do të jetë ngarkesë për Gjykatën e Lartë”.
Sadushi vlerësoi si domosdoshmëri marrjen e masave për korrigjimin e menjëhershëm të kuotave të pranimit në Shkollën e Magjistraturës, duke kritikuar Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë për mungesë vizioni në këtë drejtim.
Sipas kreut të Gjykatës së Lartë, në panoramën aktuale, Kolegji Penal nuk ka gjykime të prapambetura. Në vend të dytë është Kolegji Administrativ, i cili po shqyrton çështje të vitit 2019. Ndërsa Kolegji Civil, me numrin më të lartë të çështjeve, po përfundon çështjet e vitit 2016, po shqyrton ato të vitit 2017, ndërsa ka marrë në gjykim edhe disa rekursë të vitit 2018. (A2 Televizion)