Shpërthimi misterioz në Shkodër, Antiterrori në pritje të analizës që ndan aksidentin nga krimi

Nga A2 CNN
29 Dhjetor 2025, 15:46 | Kronikë

Shpërthimi misterioz në Shkodër, Antiterrori në pritje

Hysni Ymeri është personi, i cili humbi jetën si pasojë e një shpërthimi të ndodhur në zonën e Perashit në Shkodër.

Shkaqet e ngjarjes mbeten ende të paqarta.

Burime zyrtare nga OSHEE bëjnë me dije se, sipas verifikimeve paraprake, shpërthimi nuk dyshohet të ketë ardhur nga energjia elektrike, duke argumentuar se fuqia e shpërthimit ka qenë shumë e madhe, ndërkohë që në vendin ku ndodhi eksplozioni ndodhej një panel me mates elektrik me tension deri në 400 volt që teorikisht dhe teknikisht sipas OSHEE është e pamundur që të sjellin atë shpërthim aq të fuqishëm.

Ndërkohë, grupi i antiterrorit, i cili erdhi nga Tirana ka kryer kqyrjen e vendngjarjes dhe nuk ka konstatuar me sy të lirë mbetje të lëndëve eksplozive, por ka mbledhur materialet të cilat do t’i nënshtrohen analizave laboratorike. Analiza kimike është ajo që do ta përcaktojë nëse ka patur apo jo tritol.

Nga ana tjetër ekspertiza mjeko ligjore në spitalin e Shkodrës pas kqyrjes së trupit të viktimës e ka përcaktuar humbjen e jetës të 67-vjeçarit për shkak të energjisë elektrike.

Sipas këtij raporti, viktima ka të dëmtuar dorën e djathtë nga kontakti me korrentin si dhe ka dëmtime në koka nga djegia ndërsa në trup është i padëmtuar. Fakti që ka dorën e djathtë të nxirë nga energjia elektrike dhe jo të majtën e cila ishte në anën e panelit elektrik kur tentoi të ngjitej në pallat, ka bindur grupin mjeko ligjor që ta përcaktojnë vdekjen nga kontakti me korrentin duke shtuar edhe djegien nga flakët në kokë.

Djali i viktimës, Alban Ymeri deklaroi për policinë se nuk kanë probleme me askënd dhe se nuk kanë patur kërcënime.

Gjithsesi hetimet po vijojnë për të përcaktuar shkakun e saktë të shpërthimit, ndërsa autoritetet nuk përjashtojnë asnjë pistë deri në përfundimin e ekspertizës së plotë. Analiza kimike do të jetë ajo që do vulosë nëse kemi të bëjmë me një ngjarje aksidentale apo kriminale.

Por kush është viktima Hysni Ymeri?

67-vjeçari është vëllai i një personi të dënuar me burg për një vrasje të ndodhur shumë vite më parë në Shkodër.

Në fillim vitet ’90 në Kiras është vrarë Shefqet Çekorja nga vëllai i viktimës që humbi jetën sot.

Pas asaj ngjarje autori është arrestuar nga policia e cila e zbardhi atë vrasje dhe është dënuar nga gjykata.

Ndërkohë disa vite më pas sipas burimeve dy familjet kanë shtrirë dorën e pajtimit.

Shefqet Çekorja është vëllai i Ismet Çekores që u vra në shtatorin e vitit 2022 në afërsi të banesës pas disa deklaratsve që bëri disa ditë përpara asaj ngjarje.

Djali i Hysni Ymerit i cili jeton jashtë Shqipërisë ka ardhur me 25 dhjetor për shkak se nëna e tij vuan nga kanceri dhe mjekët nuk i kanë dhënë shumë kohë për jetën nënës. Edhe sot përpara ngjarjes, ai ndodhej në spital me nënën.

67 vjeçari pasi ka pirë një kafe si çdo ditë me shokët e lagjes është çuar nga lokali për të shkuar në shtëpi dhe më pas në spital tek bashkëshortja por sapo është futur brenda hyrjes së pallatit në katin e parë ndodhi shpërthimi i fuqishëm. Hysni Ymeri deri në spital ka shkuar gjallë ndërsa për pak minuta ndërroi jetë si shkak i plagëve të rënda në kokë.

Disa vite më parë djali i xhaxhait i Hysni Ymerit vrau bashkëshorten e tij dhe më pas qëlloi edhe vetveten.

Ndërkohë një kushëri tjetër, shtetasi Dritan Ymeri vrau në 2017 shtetasin Ilir Aliaj, mjek në profesion në Shkodër pas një konflikti pronësie. Autori arriti t’i shpëtojë policisë dhe dyshohet se ndodhet jashtë Shqipërisë prej asaj kohe.

Policia po pret vendimin final të antiterrorit nëse ka patur apo jo shpërthim me tritol për t’i dhënë më pas orientimin e duhur hetimeve dhe për ta ndarë nëse është kriminale apo aksidentale. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos