Një ngjarje e rëndë, e dyshuar atentat me lëndë eksplozive, ka tronditur banorët e një pallati në Perash të Shkodrës.
Si pasojë e një shpërthimi në katin e parë të pallatit, në vendin ku ishin matësat e energjisë elektrike, i ka marrë jetën 67-vjeçarit Hysni Ymeri.
Viktima, banor i këtij pallati, ishte duke dalë nga banesa kur vala e shpërthimit e ka goditur në momentin që po dilte nga hyrja e pallatit, shkruan A2.
Fillimisht policia njoftoi se kishin shpërthyer bokset elektrikë të matësave, por OSHEE e Shkodrës e hodhi poshtë këtë version, me argumentimin se matësat nuk shpërthejnë, maksimumi mund të marrin flakë.
Në vendngjarje mbërritën edhe forcat antieksploziv si dhe ato të RENEA-s, që po mbledhin të dhëna mbi llojin e lëndës shpërthyese dhe mekanizmin e shpërthimit të saj.
Sa i takon viktimës, burimet policore shprehen se është person pa precedent penale, por nëse do të rezultojë një atentat me lëndë shpërthyese atëherë një pistë është edhe e kaluara e vëllait të viktimës, që dyshohet se ka qenë i implikuar në një ngjarje kriminale vite më parë.
Por, deri në zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje, janë në verifikim disa pista nga grupi hetimor. (A2 Televizion)