Drejtori i ri i Policisë, aplikojnë dhe dy gra, Ministria publikon listen me 16 aplikantë

Nga Igli Çelmeta
12 Mars 2026, 17:49 | Kronikë

Ministria e Brendshme ka publikuar listën zyrtare me aplikantët që kanë shprehur interesin për të garuar për pozicionin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Ajo që vihet re është mes 16 aplikantëve janë edhe dy gra që vijnë nga jashtë policisë, Ejona Gurbardhi dhe Suela Sulkaj. Por ligji për Policinë e Shtetit e thotë qartë që drejtori i përgjithshëm përzgjidhet nga radhët e policisë dhe për këtë arsye pritet që dy aplikantet gra që vijnë nga jashtë institucionit të skualifikohen.

Aplikantët janë emra që vijnë nga një karrierë e gjatë në polici. A2 CNN prej ditësh ka publikuar emrat e kandidatëve për postin e kryepolicit, emra të cilët tashmë konfirmohen edhe nga lista zyrtare e ministrisë së Brendshme. Bëhet fjalë për oficerin e karrierës me 28 vite në polici, Pëllumb Seferin, drejtor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, departamenti me rezulatet më të larta.

Seferi mban edhe postin e presidentit të Shoqatës së Studentëve Europianë që diplomohen nga FBI në SHBA. Seferi nga data 9 deri më 11 mars me ftesë të FBI, mori pjesë në samitin e liderëve të Shoqatës së Studentëve të Akademisë të FBI. Seferi është një nga kandidatët potencialë dhe konsiderohet si figura më e pastër në polici dhe i preferuari i ndërkombëtarëve. Për postin e kryepolicit kandidon edhe drejtori aktual i Policisë së Vlorës, Elidon Çela, me 25 vite karrierë, i cili vlerësohet si një nga kandidatët potencialë.

Një tjetër emër që kandidon është edhe drejtori i Policisë së Durrësit, Afrim Tafa. Po ashtu kandidojnë edhe oficerët Idajet Faskaj, Lorenc Panganika, Rebani Jaupi, Neritan Nallbati, Alfred Çepe, Gentian Shehaj, Saimir Boshnjaku, Gentian Berberi dhe Arianit Arapi. Kandidojnë edhe ish drejtori i Policisë së Tiranës Tonin Vocaj dhe drejtori aktual i Fierit, Skënder Hitaj.
Në këtë garë emrat që konsiderohen si kandidatët më të fortë janë Pëllumb Seferi, Elidon Çela, Tonin Vocaj, Skënder Hita, Gentian Berberi dhe Afrim Tafa.

Deri më datë 16 mars, Komisioni i Posaçëm kryen vlerësimin paraprak të 16 aplikantëve dhe harton listën e kandidatëve që plotësojnë kushtet ligjore. Më pas komisioni organizon seancë dëgjimore me çdo kandidat. Komisioni i Posaçëm ngrihet nga ministria e Brendshme dhe përbëhet, nga kryetari që do të jetë një nga zëvendësministrat, i caktuar nga Ministri i Brendshëm dhe dy anëtarë Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme dhe Drejtori i AMP.

Brenda 48 orëve nga seanca e fundit dëgjimore, Komisioni përpunon të dhënat dhe harton tabelën përfundimtare të vlerësimit të kandidatëve. Në përfundim të renditjes, ministri i propozon kryeministrit listën me kandidatët me vlerësimin më të lartë. Kryeministri hedh firmën i fundit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos