Gjykata e Posaçme ka dënuar me 17 vite burg Islam Sefën, i akuzuar si drejtues dhe financues i një rrjeti të trafikut ndërkombëtar të drogës. Për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi i tij u ul në 11 vjet e 4 muaj heqje lirie.
NJOFTIM PËR MEDIAT
1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Gjykimin e çështjes penale që i përket procedimit penal nr. 150/2022, në ngarkim të të pandehurit Islam Sefa (alias Xaka), i akuzuar për kryerjen e veprave penale të “Trafikim i narkotikëve” kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe më shumë se një herë (në 9 nëntë episode), të parashikuara nga nenet 283/a/2-28 pika 4 të K.Penal në lidhje me nenin 334/1 të K.Penal
“Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal” dhe “Grup i strukturuar kriminal” kryer në formën e drejtimit të parashikuar nga neni 333/a/1 të K.Penale.
2. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundimtë gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Erjon Çela, Erjon Bani dhe Bib Ndreca, me vendimin Nr. 56, datë 18.09.2025 vendosi:
1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Islam Sefa (alias Xaka), për kryerjen e veprës penale "Trafikimi i narkotikëve", kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, dhe më shumë se një herë (në 9 (nëntë) episode dhe më konkretisht episodi para datës 08.04.2020, dhe episodet e datave 08.04.2020, 30.04.2020, 15.05.2020, 22.05.2020, 29-31.05.2020, 02.02.2021, 24.02.2021, 01.03.2021), parashikuar nga nenet 283/a/2 – 28/4 të Kodit Penal, dhe në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal, dënimin e tij me 17 (shtatëmbëdhjetë) vite burgim.
2. Deklarimin fajtor të të pandehurit Islam Sefa (alias Xaka), për kryerjen e veprës penale "Grup i strukturuar kriminal" në formën e drejtimit, e parashikuar nga neni 333/a/1 i K.Penal, dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 5 (pesë) vite burgim.
3. Në bashkim të dënimeve, në bazë të nenit 55 të Kodit Penal, dënimin e të pandehurit Islam Sefa (alias Xaka) me një dënim të vetëm prej 17 (shtatëmbëdhjetë) vite burgim.
4. Në aplikim të nenit 406/1 të K.Pr.Penale, masës së mësipërme të dënimit i zbritet 1/3 (një të tretën) duke u dënuar përfundimisht Islam Sefa (alias Xaka), me një dënim të vetëm, përfundimtar prej 11 (njëmbëdhjetë) vite e 4 (katër) muaj burgim.
5. Vuajtja e dënimit për të pandehurin Islam Sefa (alias Xaka) do të fillojë nga dita e arrestimit të tij, dhe do të kryhet në një IEVP, burg i sigurisë së lartë.
6. Në zbatim të nenit 190 të K.Pr.Penale në lidhje me provat materiale të sekuestruara për llogari të procedimit penal gjykata disponon sa më poshtë:
- 1 (Një) telefon celular i markës Samsung A14, ngjyrë e zezë, me numër Imei 1, **** dhe Imei 2, ****, brenda së cilës në fole gjendet karta Sim Vodafone me Nr, Serial **** të konfiskohet.
- 1 (Një) telefon celular i markës I-phone 15 Pro, model A3 104, me kasa ngjyrë "blue titanium", me një kartë sim me mbishkrimin One **** të konfiskohet.
- 1 (Një) telefon celular i markës "Samsung Galaxy S23" model Sm-S911b Imei 1, **** dhe Imei 2, **** të konfiskohet.
- 1(një) fletë fletoreje me kuti, me shënime me shkrim dore të mbetet pjesë e fashikullit të gjykimit.
7. Shpenzimet procedurale gjatë fazës së hetimit në shumën 96.398 (nëntëdhjetë e gjashtë mijë e treqind e nëntëdhjetë e tetë lekë) i lihen në ngarkim të pandehurve në mënyrë solidare, ndërsa shpenzimet gjyqësore i lihen në ngarkim të pandehurit Isla Sefa (alias Xaka).
8. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim nga palët brënda 15 (pesëmbedhjetë) ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, afat i cili fillon nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit.
(A2 Televizion)