Policia e Devollit ka vënë në pranga vëllanë e deputetit të Partisë Demokratike, Bledion Nallbati për incidentin e mbrëmjes së kaluar në rrethrrotullimin e Bilishtit.
Alti Nallbati, i njohur ndryshe me nofkën “Duçja”, së bashku me vëllanë e tij, kandidat në listën e sigurt të PD për qarkun e Korçës, kanë goditur me grushte shoferin e një kamioni.
Sipas policisë, gjatë këqyrjes së pamjeve filmike rezultoi se në afërsi të rrethrrotullimit të Mirasit në qytetin e Bilishtit shtetasi Alti Nallbati, ka ndaluar automjetin me të cilin lëvizte bashkë me vëllanë e tij duke penguar qarkullimin e automjeteve që lëviznin në këtë aks rrugor.
Më pas, ai ka dalë nga automjeti dhe ka debatuar verbalisht me drejtuesin e kamionit, dhe më pas tentoi ta zbresë me forcë nga mjeti shtetasin S.D, dhe ka tentuar ta qëllojë me grushte si dhe ta ofendojë duke kryer veprime të pa hijshme në publik.
Në këtë konflikt është përfshirë edhe vëllai i tij Bledioni ku fillimisht ka tentuar të qetësojë situatën por më pas, bazuar në pamjet filmike ka tentuar ta godasë shoferin.
Nga deklarimet e dhëna në polici, dy vëllezërit Nallbati kanë deklaruar se konflikti ka nisur pasi drejtuesi i mjetit të tonazhit të rëndë ka qenë duke ecur me shpejtësi dhe ka rrezikuar t’i aksidentojë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)