Zbardhet ngjarja me 5 të plagosur në Laç, arrestohen 2 të rinjtë që qëlluan me armë

Nga A2 CNN
3 Maj 2025, 23:12 | Kronikë

Zbardhet ngjarja me 5 të plagosur në Laç, arrestohen 2 të

Ngjarja e rëndë e ndodhur mesditën e kësaj të shtune në rrugën e Qirinjve, në Laç, është zbardhur nga policia. Blutë njoftojnë se kanë vënë në pranga dy të rinjtë, të cilët kanë qëlluar me armë zjarri në konfliktin, ku të plagosur mbetën pesë persona.

Në pranga ranë Klevis Ndreca dhe Daniel Gjeloshi, ndërsa gjatë operacionit për ndalimin e tyre, policia ka sekuestruar dy armë zjarri dhe mjete të tjera të përdorura në vendngjarje.

“Në vijim të informacionit të dhënë  për ngjarjen e ndodhur më datë 03.05.2025, rreth orës 13.27, në Laç, ku si pasojë i një konflikti u plagosën  me arme zjarri 5 shtetas, grupi hetimor intensifikoi veprimet ndërkohë që forcat operacionale vijuan kontrollet në terren për kapjen e autorit. Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve Daniel Gjeloshi. 27 vjeç ( i cili mbeti i plagosur gjatë konflikti dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën) si dhe Klevis Ndreca 28 vjeç, të dyshuar si autore për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit’”, njofton policia.

Hetimet paraprake tregojnë se konflikti ka nisur për një aksident rrugor pa dëme të konsiderueshme dhe më pas është vijuar me përdorimin e armëve, teksa nga të shtënat mbeti e plagosur edhe një qytetare e pafajshme, e cila shiste qirinj në një tezgë pranë rrugës, e cila të çon për në Kishën e Laçit.

“Nga tërësia e veprime hetimore të kryera deri tani, rezulton se konflikti mes te rinjve ka nisur për motive te dobëta (aksident rrugor me dëme shumë te vogla materiale) dhe më pas ka vijuar mes palëve duke përdorur armët e zjarrit. Nga këqyrja kamerave te sigurisë dhe në sajë të veprimeve hetimore të shpejta dhe profesionale, është bërë e mundur sqarimi i dinamikes së ngjarjes, ku është dokumentuar se janë përdorur dy arme zjarri (pistoleta), një arme e ftohtë (përforcues grushti), si dhe dy automjete, te cilat janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale”, sqaron më tej policia. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos