Në një seancë që u mbyll me tensione të forta, ku avokatët pretenduan se u kërcënuan në sallën e gjyqit nga i penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani vijoi të ndëshmojë në procesin “Plumbi i artë” në Gjykatën e Posaçme, detaje të atentateve dhe planeve të tij kriminale me emra të zëshëm të botës së krimit.
Dumani tha atentati ndaj biznesmenit Lulëzim Masha, ku ky i fundit vetëm u plagos, janarin e vitit 2022 pranë liqenit artificial në Tiranë, ishte porosi e Suel Çelës dhe se për krimin i kishte premtuar të pandehurit Henrik Hoxhaj 150 mijë euro.
“Porosinë për Lulëzim Mashën ma la Suel Çela. Më tha që e ka për të tjerë”, tha i penduari Dumani.
I pandehuri Hoxhaj reagoi nga kafazi i sallës, duke pretenduar se shënjestra e vërtetë kishte qenë djali i biznesmenit Masha.
“Ne kemi marrë foto për djalin e tij, tha Hoxhaj, por ai nuk po vinte, se ishte në Maqedoni. Djali mund të vinte me 200 mijë euro me vete. Këto ishin ekstra, që ne do i ndanim me njëri-tjetrin përveç porosisë 150 mijë euro. Në pritëm disa muaj, vijoi ai dhe në mungesë të djalit menduam të vrasim të atin, që më pas djali të vinte për varrimin”.
Nuredin Dumani tregoi edhe për një takim të planifikuar me Behar Bajrin, ku nuk kishte shkuar personalisht, por kishte dërguar dy djem të tjerë, pasi sipas tij “atje haje kollaren”.
“Janë takuar në një fushë. Ata ishin disa veta, të armatosur. Ishin habitur që s’isha. Fola në telefon me Behar Bajrin, madje me pak tension. Më kërkoi të bëja goditja, Dorian Dulin, Genci Tafilin e të tjerë. Unë i kam vënë një çmim 1.5 mln euro”, tha i penduari.
Dumani shtoi se Bajrit i kishte kërkuar Talo Çelën. “I thashë të ma gjente ku ishte, sepse ai më tha, kam një informacion”, tha bashkëpunëtori i drejtësisë.
Por seanca e së enjtes mori një tjetër rrjedhë, kur avokati i të pandehurit Besian Xhixha pretendoi se u kërcënua nga i pandehuri. Avokati Ilirjan Dyzeni braktisi seancën, duke thënë me zë të lartë: "Nuk toleroj mua të më kërcënojë dikush në sallë dhe prokurori të mos reagojë. Nuk mund të më bëjë ai presion mua. Nuk dëgjoj unë atë të më thotë "të fus në listë, je në ofertë".
Gjykata urdhëroi punonjësit e policisë të largojnë nga salla të penduarin dhe ndërpreu seancën për pak minuta. Në rinisje, avokatët kërkuan shtyrje të seancës, me pretendimin se Dhoma e Avokatisë do mbante një qëndrim. Ata kërkuan marrje masash nga gjykata, pasi sipas tyre, kjo ishte një sjellje e përsëritur e të penduarit. Pasi ju tërhoqi vëmendje edhe të penduarit, por edhe avokatëve dhe prokurorit për vetëpërmbajtje, gjykata shty seancën për më 22 prill. (A2 Televizion)