Një ngjarje e pazakontë është raportuar në malin e Llogarasë, ku dy kuaj dyshohet të jenë qëlluar me armë gjahu.
Shtetasi K. K., banues në Orikum, ka bërë kallëzim pranë Policisë, duke deklaruar se ka konstatuar dëmtime në dy kuaj që ai mban të lëshuar në zonën malore të Llogarasë.
Menjëherë pas denoncimit, specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Orikum kanë referuar materialet në Prokurori dhe kanë nisur punën për identifikimin e autorit apo autorëve të dyshuar, si dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes, shkruan A2 CNN.
Nga të dhënat paraprake dyshohet se dëmtimet janë shkaktuar nga armë zjarri, konkretisht armë gjahu, por ende nuk dihet nëse ka qenë një veprim i qëllimshëm apo një incident i shkaktuar nga gjuetarë. (A2 Televizion)