Dy skema të reja mashtrimi janë zbuluar nga agjentë të infiltruar të Policisë së Fierit dhe ata të sektorit të Kibernetikës, të cilët prej javësh kanë qenë pjesë e grupeve të komunikimit dhe platformave online ku rekrutoheshin qytetarët. Të dhënat e mbledhura nga brenda skemës çuan në identifikimin e dy platformave të reja, njëra prej të cilave rezulton tashmë e mbyllur, ndërsa tjetra ka nisur aktivitetin vetëm pak ditë më parë.
Hetuesit dyshojnë se këto dy skema janë të ngjashme me platformën mashtruese “XUEX”, e cila u godit pak ditë më parë në qarkun e Fierit duke çuar në arrestimin e 6 personave dhe shpalljen në kërkim të 2 të tjerëve. Agjentët po hetojnë nëse edhe pas këtyre dy skemave qëndrojnë po të njëjtët organizatorë apo nëse kemi të bëjmë me një tjetër grup kriminal të organizuar.
Por si funksionon skema piramidale online dhe si bëhet mashtrimi përmes investimeve të rreme? Këto skema funksionojnë përmes faqeve online që promovojnë investime të shpejta me kthim të lartë fitimi.
Qytetarët joshen për të investuar shuma që variojnë jo më pak se 1 mijë dollarë e që më pas arrin deri në 5 mijë, me premtimin se do të përfitojnë shumëfishin brenda një kohe të shkurtër. Pasi bëjnë pagesën dhe dërgojnë faturën si provë, ata pranohen në grupe private në aplikacionin “Telegram”, ku marrin udhëzime të mëtejshme për “investimet”. (A2 Televizion)