Ish-kryebashkiaku i Durrësit, Apeli i Posaçëm kthen për pak ditë në burg Vangjush Dakon

Nga Armand Bajrami
16 Shtator 2025, 16:52 | Kronikë

Pas tetë muajsh qëndrimi në paraburgim dhe gati 18 të tjerë në arrest shtëpie, ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, do të kthehet sërish në qeli. Gjykata e Posaçme e Apelit vendosi të lërë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë të nëntorit 2024 për dënimin me 4 vjet burg të Dakos për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”.

Ish-kryebashkiaku përfitoi uljen e një të tretës për shkak të gjykimit të shkurtuar dhe dënimi final ndaj tij ishte ai me 2 vjet e 8 muaj heqje lirie. Burime pranë SPAK bënë me dije se në zbatim të vendimi të Apelit, Dako duhet të kthehet në qeli për të vajtuar pjesën e mbetur të dënimit, por nuk saktësuan ditët, apo javët.

Nga ana tjetër, referuar kohës së qëndrimin në masën “arrest në burg” dhe atë të “arrestit në shtëpi”, llogaritet që Dako duhet të qëndrojë afërsisht dy javë deri në përfundimin e dënimit.

Sipas SPAK, ish-kryebashkiaku Dako shpërdoroi detyrën gjatë procedurës së miratimit të lejes për ndërtimin e një pallati, si edhe gjatë projektimit për ndërtimit të një shëtitoreje në qytetin bregdetar.

Dako u prangos me kërkesë të SPAK në qershor 2023, ndërsa u lirua në shkurt të vitit pasardhës për shkak të skadimit të afateve të paraburgimit. Deri në shpalljen e vendimit në Apel ish-zyrtari i lartë qëndroi në “arrest shtëpie”.

Në të njëjtin vendim me Dakon Apeli i Posaçëm la të pandryshuar dënimin me nga 2 vjet burg për të bashkëpandehurit Fiqiri Farruku dhe Edmond Bulku, të fajësuar për “falsifikim të dokumenteve”, dënim që ju konvertua në Shërbim Prove.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos