Gjatë 72 orëve të fundit Policia Rrugore e Tiranës ka vënë në pranga dhe ka proceduar penalisht 11 drejtues automjetesh pasi u kapën duke drejtuar automjete, në gjendje të dehur ose pa leje. Nga kontrollet në akset kryesore të kryeqytetit, janë bllokuar 14 automjete, janë vendosur 3900 masa administrative për parkim të gabuar, si edhe 54 masa administrative për shpejtësi tej normave.
“11 drejtues automjetesh janë arrestuar/proceduar penalisht, pasi u kapën duke drejtuar automjete, në gjendje të dehur ose pa leje; 14 automjete janë bllokuar; 11 leje qarkullimi janë tërhequr për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor; 3900 masa administrative për parkim të gabuar; 54 masa administrative janë vënë ndaj automjeteve të konstatuara nga makinat inteligjente shpejtësi-matëse, në tejkalim të normave”.
Policia Rrugore thekson sërish se drejtimi i automjetit, në efektin e alkoolit dhe/ose pa leje drejtimi, si dhe shkeljet e tjera të rënda të rregullave të qarkullimit, përbëjnë rrezik serioz për jetën e drejtuesve të mjeteve dhe qytetarëve të tjerë. Autorët e tyre do të ndëshkohen me masa të menjëhershme dhe të rrepta, sipas parashikimeve ligjore.
Sipas Policisë “kontrollet vijojnë pa ndërprerje, në të gjitha akset rrugore të kryeqytetit, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë rrugore.
Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë çdo shkelje të rregullave të qarkullimit, duke telefonuar në 112. Policia garanton anonimat dhe reagim të menjëhershëm”. (A2 Televizion)