Dy të plagosur pas dhunës në Lezhë, policia shpall në kërkim vëllain dhe nipin e Arben Ndokës

Nga Igli Çelmeta
12 Janar 2026, 19:56 | Kronikë

Policia e Lezhës ka shpallur në kërkim policor vëllanë dhe nipin e Arben Ndokës, pas një konflikti të dhunshëm të ndodhur në ambientet e një lokali në qytet. Në kërkim policor është shpallur Kevin Ndoka 20 vjeç dhe babai i tij Gëzim Ndoka, 53 vjeç, vëllai i ish-deputetit socialist Arben Ndoka, i cili ndodhet në kërkim prej një viti e gjysmë nga SPAK.

Sipas policisë këtë të hënë Gëzim dhe Kevin Ndoka janë përfshirë në një konflikt për motive të dobëta me shtetasit Gjergj Marku dhe Nikolin Marku, kushërinj, të dy 41 vjeç. Si pasojë e përplasjes, dy kushërinjtë Marku kanë mbetur të dëmtuar, shkruan A2 CNN.

Të lënduarit kanë marrë ndihmën mjekësore dhe më pas janë paraqitur në Komisariatin e Policisë, ku kanë bërë kallëzim penal, duke pretenduar se Gëzim dhe Kevin Ndoka kanë qenë të armatosur gjatë konfliktit. Dyshohet se mes palëve ka pasur konflikt të mëparshëm, ndërsa në lokal sherri ka nisur pasi Gëzim Ndoka dhe djali i tij u kanë kërkuar që të ulin zërin kushërinjëve Marku. Policia bën me dije se vijojnë kërkimet për kapjen e dy personave të shpallur në kërkim. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos