Fation Bushgjokaj, një prej 3 vëllezërve të arrestuar për vrasjen e Renis Dobrës në Mat, ka dhënë dëshminë para grupit hetimor.
A2 CNN raporton se ai ka pranuar se me 23-vjeçarin janë njohur në Gjermani dhe kanë punuar me punë të paligjshme të trafikut të lëndëve narkotike. Por ai mohon vrasjen e tij, duke pretenduar se nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen, por pranon konfliktet dhe sherret që ka pasur.
Nga ana tjetër, Patrit Çakrri pranon pjesërisht faktin që ditën e ngjarjes ka qenë në zonën e krimit. Megjithatë, sipas tij, nuk e njihte personalisht viktimën dhe thotë se nuk ka lidhje me ngjarjen dhe po ashtu nuk e dinte se çfarë kishte ndodhur, shkruan A2 CNN.
Sipas Çakrrit, të vetmin prej vëllezërve që njihte ishte Kristi Bushgjokaj, i cili vijon të jetë në kërkim nga policia. I arrestuari Çakrri ka treguar se me Kristin është njohur në burg dhe marrëdhënia e tyre kishte vijuar ende.
Ai ka treguar se me vëllezërit Bushgjokaj ishin takuar pasi ata i kishin thënë se do të dilnin në zonë për të gjetur një sasi droge nëpër fshatra. Rrugës thotë, thotë ai, jemi ndarë në dy makina, duke treguar edhe dinamikën e lëvizjes, e cila përputhet me pamjet e kamerave që ka vëzhguar policia. Megjithatë, mohon të jetë përfshirë në ngjarje, duke deklaruar se nuk e di çfarë ka ndodhur me Dobrën.
Në një moment sipas Çakrrit vëllezërit hipën në një tjetër makinë, që sipas grupit hetimor mendohet të jetë makina e 23-vjeçarit. Më pas mua më thanë 'ik tani', ka treguar më tej Çakrri. Ndërsa në lidhje me atë çfarë kishte ndodhur me 23-vjeçarin, ai tregon se e kishte marrë vesh nga mediat. (A2 Televizion)