SPAK ndërmori një operacion mëngjesin e së enjtes në Durrës dhe Shijak për goditjen e dy grupeve kriminale të dyshuar si të përfshirë në një vrasje dhe në një skemë të tjetërsimit të pronave. Për të paktën 8 persona u lëshuan masa sigurie, 6 nga të cilat "arrest në burg".
Tre nga të dyshuarit janë arrestuar, një të katërti i është komunikuar masa në burg, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim. Mbi dyshimet për tjetërsim masiv pronash SPAK ka siguruar një fletë arresti për Aleksandër Lahon, aktualisht në kërkim për të tjera hesape me Strukturën e Posaçme.
Laho, i njohur edhe si Pëllumb Muharremi ose Rrumi i Shijakut është i njëjti, ndaj të cilit në nëntor 2019 u bë atentat në aksin Durrës-Tiranë, teksa udhëtonte në të njëjtin automjet me ish-prokurorin Arjan Ndoja.
Në lidhje me abuzimet me pronat SPAK ka arrestuar edhe vëllain e Lahos, Vullnet Muçës, Vlash Draçin dhe Enea Kumen, vëllain e deputetit, Loer Kume.
Në lidhje me dyshimet për përfshirje në një vrasje të ndodhur ne vitin 2021 në Durrës, SPAK i ka komunikuar në qeli masën "arrest në burg" për Astrit Avdylaj.
Aktualisht Avdylaj është në paraburgim, për akuzat e SPAK ndaj tij në dosjen "Revanshi". Masa tjetër "arrest në burg" i përket nipit të tij, Aldo Avdylaj, po ashtu i shpallur në kërkim për "Revanshin". Një masë sigurie më e butë, "ndalim i daljes nga vendi" është caktuar për Edlira Avdylin.
Operacioni për ekzekutimin e masave të sigurisë u shoqërua edhe me kontrolle në banesat e të dyshuarve. (A2 Televizion)