Pas 9 ditësh kërkimesh të pandërprera, sot është gjetur dhe nxjerrë trupi i punonjësit që humbi jetën si pasojë e rrëshqitjes masive të dheut në fabrikën e përpunimit të kromit në Klos. Për rastin janë kryer veprimet procedurale dhe hetimore, në përputhje me legjislacionin në fuqi, nga strukturat përkatëse, njofton Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, shkruan A2.
"Në operacion morën pjesë strukturat vendore dhe qendrore të Mbrojtjes Civile, përfshirë Shërbimin e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, Policinë e Shtetit, AKSEM, Forcat e Armatosura, ekipet mjekësore, Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore dhe vullnetarë nga komuniteti lokal. Një ndihmë e çmuar erdhi gjithashtu nga Agjencia e Menaxhimit Emergjent të Kosovës, e cila kontribuoi me profesionalizëm dhe solidaritet gjatë gjithë operacionit", lexohet në njoftim. (A2 Televizion)