Një tjetër i kërkuar nga drejtësia shqiptare është vënë në pranga pas një operacioni të përbashkët mes Interpol Tiranës dhe autoriteteve spanjolle.
Në kuadër të operacionit ndërkombëtar “The Wanted”, u ekstradua nga Spanja drejt Shqipërisë 34-vjeçari Juxhin Drazhi, i shpallur në kërkim nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Sipas të dhënave zyrtare, ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale: “Trafikimi i narkotikëve” në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”.
Hetimet e zhvilluara nga SPAK kanë zbuluar se Drazhi ishte pjesë e një organizate kriminale që trafikonte lëndë narkotike drejt Norvegjisë dhe Belgjikës, shkruan A2 CNN.
Ekstradimi i tij u krye pas një bashkëpunimi të ngushtë ndërmjet strukturave të Interpol Tiranës dhe Interpol Madrid, duke finalizuar një tjetër rast të rëndësishëm në luftën kundër trafikut ndërkombëtar të drogës. (A2 Televizion)