Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka vendosur të ndryshojë masën e sigurisë për Redi Mollën, një nga të akuzuarit në dosjen 5D, shkruan A2 CNN.
Kështu Molla fiton lirinë, pasi masa ndaj tij ndryshon nga burg në detyrim paraqitje. Pak muaj më parë, u raportua se Molla kishte shfaqur probleme shëndetësore dhe iu nënshtrua disa analizave. A2 CNN mëson se Molla ka bërë ndërhyrje të ndërlikuar kirurgjikale në zemër, dhe sipas ekspertëve të caktuar nga gjykata, kjo situatë i pamundëson qëndrimin në qeli.
Redi Molla, Mariglen Qato dhe Taulant Tusha, të tre ish-drejtorë në Bashkinë e Tiranës, u arrestuan në mars të vitit të kaluar me urdhër të SPAK, si të përfshirë në dosjen 5D.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, Qato dhe Molla janë pronarë faktikë të kompanisë 5D, e cila, sipas hetimeve, fitonte tendera në Bashkinë e Tiranës. Në total bëhet fjalë për 11 tendera në 6 vite, nga viti 2016 deri në vitin 2022. (A2 Televizion)