Është arrestuar nga Policia e Vlorës avokati i Monika Kryemadhit, Redi Llanaj, i cili ditën e sotme është konfliktuar me rojën e sigurisë në hyrje të gjykatës, në zonën e kontrollit të sigurisë ku qytetarët kalojnë përmes detektorëve të metaleve.
Sipas burimeve, avokati ka tentuar të kalojë pa ndjekur procedurat e kontrollit dhe është ndaluar nga punonjësi i sigurisë, shkruan A2 CNN.
Pas një debati verbal, situata ka degjeneruar në përplasje fizike, ku avokati ka ushtruar dhunë ndaj punonjësit të institucionit.
Menjëherë pas incidentit, ai është shoqëruar nga policia në ambientet e komisariatit të Vlorës për të dhënë shpjegime lidhur me ngjarjen.
Njoftimi i Policisë:
Vlorë-Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Goditjet për shkak të detyrës”, shtetasin R. Ll., 42 vjeç, banues në Vlorë, me profesion avokat, pasi më datë 10.10.2025, rreth orës 12:30, në ambientet e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, gjatë një konflikti, ka goditur me grusht në fytyrë punonjësin në detyrë të sigurisë së objektit të këtij institucioni, shtetasin F. M., 60 vjeç, i cili ka pësuar dëmtime në fytyrë.
Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)