Të tjera detaje kanë dalë mbi vrasjen me armë zjarri që ndodhi këtë të premte në Tropojë.
Sipas burimeve për A2 CNN, bëhet me dije se rreth orës 13:40, në një lokal në fshatin Dojan, dyshohet se shtetasi Flordian Mulaj, rreth 35 vjeç, për motive të dobëta, ka qëlluar me armë zjarri pistoletë shtetasin Artur Dauti, rreth 43 vjeç, i cili për pasojë ka ndërruar jetë.
Po ashtu bëhet me dije se autori me viktimën nuk kanë pasur probleme te mëparshme, ndërsa ende nuk janë mësuar shkaqet e ngjarjes.
“Rreth orës 13:40, në një lokal në fshatin Dojan, dyshohet se shtetasi F. M., rreth 35 vjeç, për motive të dobëta, ka qëlluar me armë zjarri shtetasin A. D., rreth 43 vjeç, i cili për pasojë ka ndërruar jetë”, informon policia.
Sakaq, në drejtim të Tropojës shkuan forcat operacionale të Drejtorisë së Kukësit, specialistët e Hetimit të Krimeve, dhe dy grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë Njësia Shkodër, për lokalizimin dhe kapjen e autorit.
Ndërkohë, grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti, si dhe shoqërimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje. (A2 Televizion)