Me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, 14 vjeçari që vrau me thikë bashkëmoshatarin e tij, Martin Cani, do të qëndrojë në qelitë e paraburgimit.
Gjykata e kryeqytetit vlerësoi masën e sigurisë “arrest në burg” si më të përshtatshme për të miturin e akuzuar për “vrasje në rrethana cilësuese”, ndaj një të mituri. Seanca gjyqësore nuk u zhvillua në Gjykatën e Tiranës, por në ambientet e një spitali privat ku i akuzuari është shtruar për shkak të një plage të rëndë na parakrahun e majtë të tij, plagë e shkaktuar me thikë në të njëjtën ngjarje.
Në dhomën spitalore të shndërruar për pak minuta në një sallë gjyqi përveç gjyqtares Lorena Çabej, prokurores Alma Felaj dhe mbrojtësit ligjor të të miturit ka qenë e pranishme edhe një psikologe. Seanca ka zgjatur pak minuta, në të cilën prokurorja ka rindërtuar sipas të dhënave të deritanishme ngjarjen e më pas ka kërkuar izolimin në burg.
Burime pranë gjykatës bënë me dije se i mituri ka qenë në gjendje të rënduar psikologjike, shkruan A2 CNN. Ai nuk ka dhënë ndonjë deklarim, ndërsa avokati i ka kërkuar gjykatës një masë të ndryshme nga “arresti në burg”.
Ngjarja me një viktimë dhe dy të plagosur me thikë, që tronditi opinionin dhe nxiti një debat publik mbi sigurinë e të miturve, ndodhi pak pas mesditës të së hënës në një rrugicë pranë shkollës “Fan Noli”.
Sipas të dhënave të deritanishme, pas një konflikti verbal, 14 vjeçari i akuzuar për vrasjen dhe viktima kanë lënë të sqarohen, vend ku kanë shkuar të shoqëruar nga miq të tyre. Gjatë përleshjes dyshohet se 14 vjeçari me iniciale M. P. qëlloi me thikë në kraharor Martin Canin dhe plagosi rëndë shokun e tij, si edhe mori vetë një plagë në krah, raporton A2 CNN.
Për llogari të hetimit janë marrë dëshmitë e disa nxënësve dëshmitarë të konfliktit, si edhe janë administruar kamerat e sigurisë të bizneseve në rrugicën ku ndodhi ngjarja. (A2 Televizion)