A2 CNN siguron një tjetër video nga momenti që autorët ende të paidentifikuar qëllojnë me 5 plumba pistolete me silenciator Klaudio Prendin, djalin e ish-gjyqtarit Fran Prendi.
Nga pamjet e kamerave të sigurisë duket qartë momenti kur viktima del nga lokali ku ishte nën shoqërinë e miqve të tij dhe futet në makinën tip G Class të parkuar tek stacioni i autobusëve, shkruan A2 CNN. Në atë moment, atentatorët i shkojnë paralel me Audi duke e qëlluar me armë me silenciator dhe largohen nga vendngjarja. E gjithë skena e krimit ka ndodhur në 5 sekonda.
Për të identifikuar autorët, policia ka këqyrur një sërë kamerash sigurie përgjatë zonës. Nga kamerat është vërejtur se përgjatë rrugës "Xhanfize Keko", automjeti "Audi" i autorëve ka lëvizur përgjatë zonës për rreth një orë para krimit. Ky fakt përforcon dyshimet e policisë se ata kanë ndjekur lëvizjet e objektivit dhe kanë pasur dijeni të plotë që gjendej në lokal.
Nga këqyrja, ka rezultuar se në asnjë moment në makinën e autorëve nuk janë hapur xhamat. Bashkë me viktimën në lokal kanë qenë edhe 3 efektivë policie, miq të tij, raporton A2 CNN.
Dy prej tyre e dërguar 27-vjeçarin menjëherë në spital drejt Traumës, ndërsa efektivi i tretë i është vënë në ndjekje autorëve, por mjeti "Audi" ka humbur gjurmët pa shkuar te rrethi i Shkozës. Nga ana tjetër policia do të verifikojë edhe njëherë pamjet e kamerave të sigurisë në zonën e Liqenit Artificial ku një vit më parë u vodh automjeti i përdorir i autorëve.
Targat e vendosura në makinën që atentatorët dogjën në afërsi të Liqenit të Farkës ishin greke dhe të vjedhura në vendin fqinj. Për këtë fakt, policia shqiptare i ka kërkuar informacion asaj greke nëse mund të jenë identifikuar autorët e vjedhjes, fakt ky që mund të ndihmojë hetuesit shqiptarë në zbulimin e provave të reja. (A2 Televizion)