Katër veterinerë, shtetasit Baki Myrtollari, Kujtim Agolli, Demir Koritari dhe Ergys Lame kanë rënë në prangat e Policisë në Korçë, pasi dyshohet se matrikulluan 120 bagëti të imëta dhe gjedhë, të kontrabanduara.
Përmes një njoftimi, Policia bën të ditur se është shpallur në kërkim një 39-vjeçar që dyshohet se ka kontrabanduar bagëtitë dhe gjedhët nga Greqia, si dhe janë proceduar penalisht 3 shtetas që kanë mbajtur në stallat e tyre, bagëtitë dhe gjedhët.
Burime të siguruara pranë grupit të hetimit bëjnë me dije se prej 6 muajsh bagëtitë dhe gjedhët kontrabandoheshin nëpërmjet kufirit të gjelbër nga Greqia në Shqipëri, në drejtim të Devollit e më pas matrikulloheshin e hidheshin në treg.
Gjithnjë sipas të njëjtit burim, gjatë kësaj periudhe persona të dyshuar dhe të tjerë pasi i kanë matrikulluar, i kanë therrur dhe janë tregëtuar e konsumuar, shkruan A2 CNN.
Burimi më tej tha se hetimi po vijon edhe për institucionet e tjera përgjegjëse, pasi ka dyshime se ka patur një bashkëpunim në gjithë rastet, madje nga hetimi ka dalë se ka një lidhje mes autorëve të kontrabandës me persona të arrestuar.
Për shkak të kontrabandimit të bagëtive, kryesisht nga Greqia, janë vërejtur raste në fshatra të Devollit me murtajën e bagëtive, ç’ka e bën ende dhe më alarmante këtë situatë. (A2 Televizion)