Vodhën 409 mijë euro nga kompania ku punonin, arrestohet shpërndarësi i porosive, shpallet në kërkim financierja

Nga A2 CNN
23 Korrik 2025, 11:07 | Kronikë

Erlin Shkoza ishte i punësuar si shpërndarës porosish në një kompani që shiste tekstile e metrazhe, por pronarët e biznesit i kishin besuar atij ndër të tjera edhe për menaxhimin e faturave. Por, në fund të vitit të kaluar, pronarët zbuluan se nga biznesi i tyre ishte vjedhur shuma prej 409 mijë eurosh. Pasi bënë denoncimin në polici, hetimet 6 mujore zbuluan se përgjegjës për shumën e vjedhur ishin 37-vjeçari Erlin Shkoza, tashmë i arrestuar, si dhe financierja 30 vjeçare e kompanisë, e shpallur në kërkim.

Për Shkozën, Gjykata e Tiranës kishte caktuar në mungesë masën e sigurisë arrest në burg. Nga hetimet, ka dyshime të forta se në bashkëpunim me njëri-tjetrin gjatë periudhës 2023-2024, kanë vjedhur nga subjekti ku ishin të punësuar, nëpërmjet mashtrimit me faturat e shpërndarjeve, rreth 409 mijë euro. Vjedhja u zbulua në fund të vitit të kaluar, pasi ishte bërë një bilanc i plotë nga drejtuesit dhe është parë që mungonin paratë.

Nga hetimi është zbuluar se Shkoza, me financieren e kompanisë së metrazheve kanë hapur një nipt paralel në emër të kompanisë, por këtë herë në Elbasan. Aty janë investuar paratë e vjedhura, por pronarët nuk kanë pasur asnjë dijeni në lidhje me hapjen e këtij nipti. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos