Policia e kryeqytetit ka bllokuar një spital privat te Zogu i Zi, pasi gjatë kontrolleve u zbulua se subjekti kishte kryer evazion fiskal mbi 1 milion euro, përdorte medikamente të ndaluara dhe punësonte persona të pasiguruar. Sipas burimeve për A2 CNN bëhet fjale për fillera estetike, pra për botokse, apo ndërhyrje estetike si dhe mbjelljen e flokëve.
Në operacionin “Bilanci”, u arrestua administratori i spitalit, Edmond Zaja, 62 vjeç, ndërsa janë shpallur në kërkim bashkëaksionerët; shtetasi turk Bilal Kara, 45 vjeç, dhe Geriana Arapi, 32 vjeçe.
Policia sekuestroi 100 blloqe mandatesh të pafiskalizuara, 27 lloje medikamentesh të dyshuara të skaduara dhe 6 kompjuterë.
Njoftimi i Policisë Tiranë
Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, operacioni policor i koduar “Bilanci”.
Si rezultat i administrimit disamujor të një informacioni të siguruar në rrugë policore, dokumentohen krime ekonomike dhe krime kundër shëndetit, të kryera për llogari të një spitali privat në Zog të Zi.
Nga hetimet dhe kontrollet rezultoi se:
subjekti nuk kishte deklaruar fitime me vlerë mbi 1 000 000 euro, gjatë periudhës 2024-2025;
shërbimet spitalore në këtë subjekt kryheshin me produkte të ndaluara për përdorim;
në këtë subjekt punonin shtetas të pasiguruar.
Bllokohet subjekti.
Arrestohet administratori i spitalit privat.
Shpallen në kërkim 2 bashkaksionerët.
Sekuestrohen 100 blloqe me mandate të pafiskalizuara, 27 lloje medikamentesh të dyshuara të skaduara dhe 6 njësi kompjuterike.
Gjatë operacionit “Bilanci”, shërbimet e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare arrestuan administratorin e spitalit, shtetasin E. Z., 62 vjeç, si dhe shpallën në kërkim bashkaksionerët e subjektit, shtetasin turk B. K., 45 vjeç dhe shtetasen shqiptare G. A., 32 vjeçe.
Gjatë periudhës hetimore disamujore, në koordinim me Prokurorinë e Tiranës, si dhe nga kontrollet në subjekt, u konstatua se nëpërmjet lëshimit të faturave të pafiskalizuara, ishte kryer evazion fiskal me vlerë mbi 1 000 000 euro. Gjithashtu, në spital përdoreshin medikamente të dyshuara të kontrabanduara, të ndaluara për përdorim, nga autoritetet kompetente, si dhe ishin punësuar pa u siguruar, 5 shtetas.
Punohet për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe për provimin e plotë të këtyre veprimtarive kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Në kuadër të operacionit “Bilanci” u ndalua shtetasi Edmond Zaja si dhe u shpallën në kërkim shtetasit Bilal Kara dhe Geriana Arapi. (A2 Televizion)