Kërkesa e SPAK për kalimin në gjykim të ish-Presidentit të Republikës, Ilir Meta dhe ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi do të peshohet nga gjyqtarja e Posaçme, Irena Gjoka.
Shorti elektronik i hedhur mëngjesin e së mërkurës përzgjodhi gjyqtaren Gjoka për shqyrtimin paraprak të dosjes ku veç ish-bashkëshortëve Meta-Kryemadhi, të akuzuar për "korrupsion", "pastrim të parave" dhe "fshehje e mosdeklarim të pasurisë", janë të pandehur edhe ish-vjehrra e Metës, Fatime Kryemadhi, Pirro Xhixho dhe Ema Çoku.
Hetimi ndaj Metës nisi më 2019, ndërsa dosja u kopsit dhe dorëzua në gjykatë më 29 gusht. Hetimet e këtij raste zbuluan, sipas SPAK, një sërë skemash korruptive, përdorim i influencës dhe pushtetit politik me qëllim favorizimin e bizneseve të caktuara kundrejt shpërblimit të marrë, apo të premtuar dhe më tej pastrim të parave të krijuara prej shkeljes së ligjit dhe mosdeklarim i tyre në deklaratat periodike.
Në dy nga rastet janë çështja CEZ/DIA dhe lobimi i LSI në SHBA. Pas përzgjedhjes së gjyqtarit paraprak, në ditët në vijim do të përcaktohet data e seancës së parë.
Irena Gjoka është gjyqtarja për të cilën ish-kryeministri, Sali Berisha, pretendon se ka falsifikuar formularin e dekriminalizimit dhe se për këtë arsye nuk mund të jetë gjyqtare.
Akuzat kundër saj nuk i vonoi as Partia e Lirisë, president i së cilës është Ilir Meta.
Duke ju referuar me etiketimin e përdorur nga Berisha, “Irena me 5 mbiemra”, sekretari i Përgjithshëm i PL, Tedi Blushi publikoi dokumentet greke të dënimit penal dhe kërkoi largimin urgjent të saj nga çështja ndaj Ilir Metës. (A2 Televizion)