Pas arrestimit të 67-vjeçarit të akuzuar për përdhunimin e një 12-vjeçareje në fshatin Piskupat, kanë reaguar kushërinjtë e tij, të cilët shprehen të tronditur nga ngjarja dhe mohojnë që ai të ketë pasur sjellje problematike.
“Nuk e besojmë. Pamë policët që i shkuan në shtëpi. Nuk ka pasur probleme më parë. Është person i mirë, nuk kam dëgjuar asnjë fjalë të keqe për të. U trondita kur e mora vesh,” shprehet një prej kushërinjve.
Një tjetër familjar thekson se 67-vjeçari, Rushani, njihej në zonë si njeri i qetë dhe pensionist: “Rushanin e njoh si burrë të mirë. Ne tani e morëm vesh. Pak më parë erdhi policia dhe u largua. Vajzën e kanë komshinj, familjet shkojnë e vijnë me njëra-tjetrën. Rushani nuk ka ngacmuar njeri, rri në shtëpi.”
Sipas kushërinjve, ai nuk ishte i njohur si person problematik dhe askush nuk kishte pasur ankesa për të, shkruan A2 CNN.
Ngjarja e rëndë dyshohet se ka ndodhur rreth katër muaj më parë në banesën e 67-vjeçarit, por është zbuluar vetëm pasi e mitura rezultoi shtatzënë. Vajza ka rrëfyer krimin në prani të psikologëve, duke deklaruar se është kërcënuar vazhdimisht për të mos folur.
I dyshuari, baba i katër fëmijëve dhe gjysh, është arrestuar nga policia, ndërsa e mitura ndodhet nën kujdesin e prindërve dhe specialistëve, në gjendje të rënduar psikologjike. Hetimet vijojnë. (A2 Televizion)