Gara për kryepolicin e ri, zhvillohen intervistat me 14 kandidatët, brenda 48 orëve emri i fituesit

Nga Igli Çelmeta
24 Mars 2026, 19:21 | Kronikë

Konkursi për përzgjedhjen e drejtorit të ri të përgjithshëm të policisë së shtetit po shkon drejt fundit. Këtë të martë komisioni i ngritur nga Ministria e Brendshme ka zhvilluar intervistat me 14 kandidatët, të cilët u paraqiten sipas rendit alfabetik. Seancat dëgjimore u zhvilluan me dyer të mbyllura pa praninë e mediave në ambinetet e ministrisë së Brendshme.

Komisioni i përbërë nga kryetari, një zv.ministër i Brendshëm dhe nga dy anëtarë, sekretarja e përgjithshme ministrisë dhe drejtori i AMP, pasi dëgjuan platformat e kandidatëve i drejtuan edhe pyetje. I pari që u paraqit para komisionit ishte drejtori aktual i policisë së Durrësit, i cili u pasua nga kandidatët e tjerë si Alfred Çepe dhe Arjanit Arapi.

I katërti ishte Elidon Çela drejtori aktual i policisë së Vlorës, i cili vlerësohet si një kandidat potencial për të marrë drejtimin e policisë së Shtetit. Konkursi vijoi me kandidatët Gentian Berberi, Gentjan Shehaj, Idajet Faskaj, Lorenc Panganika dhe Neritan Nallbati.

I dhjeti në listë sipas rendit alfabetik ishte kandidati Pëllumb Seferi, drejtori i departamenit të Marrëdhënieve ndërkombëtare, i cili vlerësohet si një nga figurat më të pastra në polici dhe i preferuari i ndërkombëtarëve. Intervistat vijuan më pas më kandidatët, Rebani Jaupi, Saimir Boshnjaku dhe Skënder Hitaj. I fundit që dha intervistën ishte ish drejtori i policisë së Tiranës, Tonin Vocaj.

Procesi pati edhe vëmendjen e faktorit ndërkombëtar, ku seancat dëgjimore u ndoqën ICITAP dhe EU4LEA. Gjithashtu gjatë kohës që zhvilloheshin intervistat, e ngarkuara me punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë, Nancy VanHorn u prit nga ministri Besfort Lamallari.

Gjithashtu edhe përfaqësues të ambasadës britanike shkuan në ministri. Në fund të këtij procesi, brenda 48 orëve, pra deri më datë 26 mars, Komisioni i Posaçëm do të bëjë vlerësimin e kandidatëve me pikë dhe do t'i dorëzojë në bazë të ligjit Ministrit të Brendshëm listën me 5 kandidatët më të vlerësuar.

Më pas Ministri i Brendshëm do t’i përcjellë Këshillit të Ministrave emrin e kandidatit më të vlerësuar dhe vendimi i Qeverisë për miratimin e emrit do të merret në mbledhje qeverie. Në total vlerësimi i tyre ka 100 pikë. Ku vlerësimi profesional ka 30 pikë maksimale, vlerësim moral dhe integriteti ka 10 pikë, vlerësimi organizativ dhe drejtues ka 50 pikë dhe element shtesë në vlerësim si gjuhët e huaja dhe titujt akademikë kanë 10 pikë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos