Vijon operacioni kombëtar kundër kultivimit të bimëve narkotike, i koduar “Koordinata”. Si rezultat i kontrolleve intensive nga toka dhe ajri, me mbështetjen e dronëve dhe informacioneve të siguruara në rrugë operative, shërbimet e Komisariatit të Policisë Has kanë konstatuar një tjetër rast të kultivimit të lëndëve narkotike.
Në territorin e fshatit Golaj janë gjetur dhe identifikuar 93 bimë të dyshuara si kanabis, të cilat u asgjësuan menjëherë në vendngjarje, përmes djegies.
Në vijim të hetimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Has kanë referuar materialet në Prokurori dhe kanë nisur procedim penal në gjendje të lirë ndaj kryeplakut të fshatit Golaj, shtetasit Sh. R., banues në këtë fshat, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Policia bën me dije se puna vijon për identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar për kultivimin e bimëve narkotike, me qëllim vënien e tyre përpara përgjegjësisë penale. (A2 Televizion)