Policia e Korçës po zbaton një vendim të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), në kuadër të një procedimi penal që përfshin katër subjekte politike me shtrirje në mbarë vendin.
Burime konfidenciale për A2 CNN, bëjnë të ditur se përfaqësues të vetëm një subjekti politik në Korçë janë në hetim për krime zgjedhore, kryesisht të lidhura me shitblerjen e votave gjatë procesit zgjedhor.
Në zbatim të vendimit gjyqësor, policia po ushtron kontrolle në banesat e personave të dyshuar, ndërsa janë sekuestruar mjete dhe disa aparate celularë që mund të përmbajnë prova të rëndësishme për hetimin.
Sipas të njëjtave burime, subjekti nën hetim në Korçë është Partia Socialdemokrate, e cila ka qenë pjesë e garës elektorale në zgjedhjet e 11 Majit. (A2 Televizion)