GJKKO në ngërç, dështon gjyqi ndaj Berishës, Malltezi kallëzon Ballën

Nga Armand Bajrami
14 Shtator 2026, 16:12 | Kronikë

Vendimi i avokatëve për të bojkotuar seancat gjyqësore në Gjykatën e Posaçme, për shkak të rregullores që ju pengon mbajtjen e celularëve, dështoi të hënën gjyqin ndaj ish-kryeministrit, Sali Berisha. As mbrojtësit e ish-ministrit të akuzuar për “korrupsion” dhe as të të bashkëpandehurve të tij nuk ishin në sallë.

Përmes shkresave, ata kërkonin shtyrjen e seancës, ndërsa përligjin mos praninë e tyre me vendimin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë për të mos marrë pjesë në gjykimet e GJKKO deri në pezullimin e rregullores.

Kërkesa për shtyrje pranua edhe nga Jamarbër Malltezi dhe Xhimi Begeja, të vetmit të pandehur në sallë. Për ironi, rregullorja e gjykatës, që ka çuar avokatët në bojkot, nuk u zbatua as nga anëtarët e trupës gjykuese, të cilët u panë t’i kishin me vete aparatët celularë.

Mos zhvillimi i seancës dështoi edhe pyetjen e tre dëshmitarëve të SPAK, të paraqitur në gjykatë, një prej të cilëve, ish-gjenerali Vladimir Qirjazi. 

Gjykata relatoi se dëshmitari Fatmir Mediu kishte marrë njoftim për paraqitjen në gjyq, ndërsa Paro Laçi nuk ishte gjendur në adresë.

Në dalje nga gjykata, Jamarbër Malltezi njoftoi se kishte kallëzuar penalisht në SPAK, kreun e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Seanca e radhës në ngarkim të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe të bashkëpandehurve të tij të dosjes “Partizani” u caktua për më 28shtator.

Bojkoti i avokatëve, u bë shkak edhe për dështimin e seancës gjyqësore ndaj Fatime Kryemadhi, Pirro Xhixho dhe Ema Çoku, të cilët gjykohen në një proces të veçuar nga ish-bashkëshortët Meta-Kryemadhi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos