Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, do të vijojë të qëndrojë në parabugim. Këtë të martë, Gjykata e Lartë refuzoi kërkesën e tij për liri, duke lënë të pandryshuar masën e sigurisë “arrest në burg”.
Rekursi i titullarit të bashkisë së kryeqytetit u shqyrtua nga një Kolegj Penal i përbërë nga gjyqtarët Albana Boksi, Mehdi Bici dhe Sokol Binaj, shkruan A2.
Seanca që zgjati gati dy orë u zhvilluar në Dhomë Këshillimi, pa praninë e palëve, vetëm mbi bazën e materialeve shkresore të paraqitura në Gjykatën e Lartë. Në përfundim, Kolegji vlerësoi se nuk kishte ndryshuar asnjë kusht ligjor që mund të çonte në prishjen e masës “arrest në burg” të caktuar më herët nga Shkalla e Parë dhe Apeli i Posaçëm ndaj Veliajt. Në zbatim të këtij vendimi, kryebashkiaku Veliaj, i izoluar në qeli prej muajit shkurt, do të vijojë të qëndrojë në paraburgim, teksa hetohet nga SPAK për katër vepra penale.
Në kërkesën e parë për caktimin e masës “arrest në burg”, SPAK ngriti dyshime ndaj tij për veprat penale të “korrupsionit”, kryer në 9 raste dhe “pastrimit të parave”. Por, gjatë hetimit, atij iu shtuan edhe dy akuza të tjera, ajo e “futjes së sendeve të ndaluara në burg” dhe “fshehje e mosdeklarim i pasurisë”.
E para kishte lidhje me përdorimin nga Veliaj të telefonit të një prej punonjësve të policisë teksa shoqërohej për në Apel, ndësa tjetra me sekuestrimin nga SPAK të banesës fqinje të bashkëshortëve Veliaj-Xoxa tek Kodra e Diellit, që ndonëse ishte e regjistruar në emër të një shoqërie tregtare dyshohet të jetë pasuri e fshehur e tyre.
Sipas SPAK, kryebashkiaku Veliaj dhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, e cila po hetohet në masën “detyrim për paraqitje” kanë ideuar, krijuar dhe vënë në funksionin një mekanizëm kriminal, që bënte të mundur përfitimin e fondeve publike të Bashkisë Tiranës për pasurim personal.
Në të njëjtin vendim që “çimentoi” qëndrimin në qeli të Veliajt, Gjykata e Lartë la të pandryshuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për biznesmenin Elman Abule dhe atë të “detyrimit për paraqitje” për biznesmenët Gentian Sula, Meriman Palushi dhe Shkëlqim Fusha. (A2 Televizion)