Policia spanjolle e konfirmon: Diogo Jota ishte në timonin e Lamborghini-t, u përplas me shpejtësi të lartë

Nga A2 CNN
8 Korrik 2025, 19:14 | Futboll

Policia spanjolle e konfirmon: Diogo Jota ishte në timonin e Lamborghini-t,

Policia spanjolle ka bërë të ditur për herë të parë se beson se sulmuesi i Liverpoolit, Diogo Jota, ishte në timon kur Lamborghini Huracan prej 185 mijë paundësh doli nga rruga dhe shpërtheu në flakë, duke shkaktuar vdekjen e tij dhe të vëllait të tij më të vogël, Andre Silva.

Aksidenti ndodhi javën e kaluar në autostradën A-52 pranë Zamorës, pranë kufirit mes Spanjës dhe Portugalisë. Hetimet paraprake të policisë sugjerojnë se makina po udhëtonte me një shpejtësi shumë më të lartë se limiti i lejuar prej 120 km/orë.

Në një deklaratë zyrtare të lëshuar nga Garda Civile, thuhet: "Të gjitha testet e kryera për momentin tregojnë se drejtuesi i automjetit të aksidentuar është Diogo Jota. Raporti përfundimtar i ekspertëve do t’i dorëzohet gjykatës në Puebla de Sanabria."

Mediat raportojnë se Jota dhe Silva po udhëtonin drejt Mbretërisë së Bashkuar me makinë, pasi mjekët i kishin këshilluar sulmuesit të mos fluturonte pas një operacioni të fundit. Automjeti i tyre doli nga rruga gjatë një parakalimi dhe shpërtheu në flakë, dyshohet pas një shpërthimi të gomës.

Në një zhvillim të ri, Javier Lopez Delgado, president i Shoqatës Spanjolle të Auditorëve të Sigurisë Rrugore (ASEVI), ka deklaruar se gjendja e rrugës ishte gjithashtu një faktor kyç në aksident.

Nuk ishte vetëm shpejtësia. Sipërfaqja e rrugës kishte defekte serioze dhe është vendi i një aksidenti tjetër të rëndë vetëm disa ditë më parë. Nëse ata do të kishin qenë duke ecur me 55 mph, ndoshta nuk do të kishin vdekur”, tha ai për La Opinion de Zamora.

Ai shtoi se edhe barriera qendrore ishte e projektuar keq, duke vepruar si një "pengesë vdekjeprurëse".

Banorët lokalë dhe autoritetet bashkiake në Cernadilla, ku ndodhi aksidenti, e kanë përshkruar zonën si jashtëzakonisht të rrezikshme, për shkak të kthesave të mprehta, shikueshmërisë së dobët gjatë natës dhe kafshëve të egra që shpesh përplasen me automjetet.

Një burim lokal u shpreh: “Sot ishin dy futbollistë të famshëm, por nesër mund të jetë kushdo. Rruga është jashtëzakonisht e rrezikshme.

Autoritetet po përpunojnë raportin e plotë teknik dhe hetues, i cili pritet t’i dorëzohet prokurorisë në ditët në vijim. Ndërkohë, fansat dhe bota e futbollit vazhdojnë të shprehin dhimbjen dhe ngushëllimet për humbjen tragjike të Diogo Jotës, vetëm 28 vjeç dhe babai i tre fëmijëve, si dhe të vëllait të tij 25-vjeçar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos