Gjykata e Lartë lë në burg Ervin Salianjin

Nga Xhensila Kodra
11 Mars 2025, 13:51 | Kronikë

Ish deputeti demokrat Ervin Salianji, i dënuar me një vit burg për kallëzim të rremë, për dosjen e njohur si “Babale”, do të vuajë në qeli edhe pjesën e mbetur të dënimit. Këtë të martë, Gjykata e Lartë rrëzoi rekursin e bërë nga ai, duke e lënë sërish në burg, shkruan A2 CNN.

Vendimmarrja nëse ish deputeti do të fitonte lirinë nga burgu ose jo, u mor në dhomë këshillimi, gjyq që zgjati për rreth 4 orë dhe pa avokatë të pranishëm.

Më herët Gjykata e Lartë i rrëzoi Salianjit edhe kërkesën për pezullimin e dënimit me 1 vit burg nga Apeli i Juridiksionit të Përgjithshëm, ndërsa në reagimet e bëra nga qelia, ai vijon të deklarojë se burgosja e tij është politike.

Ervin Salianji ndodhet në burgun e Fierit që prej 27 shtatorit të vitit të kaluar. Bashkë me Salianjin, rekurs kishte bërë edhe gazetari Jetmir Olldashi, i dënuar me punë në interes publik, kërkesë e cila po ashtu nuk u pranua nga Gjykata e Lartë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos