Shpërndanin euro false në Vlorë, dy në pranga dhe 1 i proceduar

Nga A2 CNN
11 Mars 2025, 11:50 | Kronikë

Tre të rinj kishin që kishin krijuar një skemë për shpërndarjen e kartëmonedhave të falsifikuara në qytetin e Vlorës, janë zbuluar nga policia.

Uniformat Blu vunë në pranga dy prej tyre, të cilët siguronin euro të falsifikuara dhe proceduan penalisht të tretin, i cili i fuste në treg duke kryer blerje në biznese të ndryshme të qytetit.

“Specialistët e Seksionit për Krimin Ekonomik e Financiar, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale të Hetimit, në DVP Vlorë, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Fake Cash”. Si rezultat, u arrestuan në flagrancë shtetasit: J. T., 25 vjeç, banues në Skrapar; B. S., 35 vjeç, banues në Përmet. Si dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasi T. K., 24 vjeç, banues në Vlorë”, informon policia.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se treshja në fjalë, ushtronin aktivitet të kundërligjshëm të shpërndarjes së kartëmonedhave të falsifikuara në qytetin bregdetar. Shtetasi T. K. dyshohet se siguronte kartëmonedha false nga dy të arrestuarit dhe më pas i fuste në treg duke i përdorur për blerje në biznese të ndryshme të zonës.

Gjatë operacionit u sekuestrua 2550 euro të falsifikuara, në prerje 50 dhe 100 euro. Nën drejtimin e Prokurorisë së Vlorës, vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos