
Gjykata e Posaçme ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për biznesmenin Ergys Agasin.
Ndërkohë, në një deklaratë për mediat jashtë ambienteve të Prokurorisë së Posaçme, avokati Maks Haxhia dha detaje mbi seancën gjyqësore
Sa i përket akuzës për korrupsion pasiv, Haxhia tha se mbrojtja ka ngritur pretendime mbi provat e paraqitura deri tani nga organi i akuzës.
“Problemi është që akuza e heqjes së paligjshme të lirisë në drejtim të zotit Agasi, me analizat që iu bënë provave të administruara dhe vendimeve të prokurorisë, tregoi dhe çoi në çlirimin e kësaj akuze në ngarkim të zotit Agasi”, u shpreh avokati, shkruan A2CNN.
“Akuzën për korrupsion pasiv, pasiguria e materialit të paraqitur deri tani e ka ndjekur akuzën për të qëndruar në pozitat e presionit ndaj gjykatës. Sot u paraqit kjo akuzë”, tha Haxhia.
Avokati bëri me dije se edhe vetë Agasi ka dhënë shpjegime gjatë seancës dhe ka mohuar përfshirjen në tendera apo përfitimin prej tyre.
“Klienti foli dhe dha shpjegime dhe insistoi e provoi se nuk ka qenë kurrë pjesëmarrës në tendera, nuk ka pasur asnjë përfitim nëpërmjet tenderimit dhe nuk ka qenë pjesë e grupeve kriminale në presione të ndryshme”, deklaroi Maks Haxhia.
Kujtojmë që biznesmeni ishte shpallur në kërkim që prej muajit dhjetor 2025 dhe u arrestua më 26 gusht në zonën e Plepave në Durrës.
Në momentin e arrestimit, Agasi ndodhej në një automjet së bashku me ish-punonjësin e Policisë së Shtetit, Uljan Shpataraku, i cili gjithashtu u vu në pranga. (A2 Televizion)