Gjyqi ndaj Vangjush Dakos, avokatët mbrojtës paraqesin sot konkluzionet përfundimtare

Nga A2 CNN
25 Nëntor 2024, 15:26 | Kronikë

Gjyqi ndaj Vangjush Dakos, avokatët mbrojtës paraqesin sot

Prej disa orësh po vijon në Gjykatën e Posaçme Kundër Krimit e Korrupsionit seanca e radhës ndaj ish-kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako dhe 3 të pandehurve të tjerë të akuzuar për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh.

Gazetari i A2 CNN Armand Bajrami raportoi, në këtë fazë avokatët mbrojtës të të 4 të pandehurve po paraqesin konkluzionet përfundimtare para gjykatës.

Sipas tij, në seancën e kaluar SPAK lexoi fjalën e fundit për këtë çështje duke kërkuar deklarimin e fajshëm të të 4 të pandehurve mes të cilëve për ish-kryebashkiakun e Durrësit Vangjush Dako, duke kërkuar fajësimin e tij për shpërdorim detyre, kryer në 2 raste dhe dënim me 4 vite burg. Por për shkak të gjykimit të shkurtuar Dako përfiton ulje të 1/3 të dënimit dhe masa e kërkuar nga SPAK është një dënim me 2 vjet e 8 muaj burg si fajtor për veprën e shpërdorimi të detyrës në dy raste.

Rasti i parë ka lidhje me abuzimin e kryer me lejen për ndërtimin e një pallati në Durrës, ku janë përfshirë dokumente të falsifikuara dhe zbardhja e lejes është bërë pasi kishte përfunduar ndërtimi i godinës që ishte i ndryshëm në kate nga sa ishte planifikuar në fillim, raportoi gazetari i A2.

Ndërsa rasti i dytë ka të bëjë me studimin e kryer nga bashkia e Durrësit në lidhje me shëtitoren në qytetin bregdetar ku për shkak të keqllogaritjes në buxhetin e shtetit është shkaktuar një dëm prej qindra mijëra euro. Edhe pse ishte evidentuar më herët nga KLSH, Bashkia e Durrësit nuk kishte marrë masa.

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos